Fondi grant për “Start-up” nga AIDA
Fondi në mbështetje të Sipërmarrjeve të reja ”Start Up” është miratuar me VKM-në Nr. 593, datë 10.9.2014, “Për Krijimin e Fondit në mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-Up””. Ky fond ka parashikuar një buxhet prej 10,000,000 lekë për çdo vit dhe ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapo krijuara “Start-Up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë për këtë kategori biznesi duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Fondi “Start-Up” jep grante deri në 500.000 (pesëqind mijë) lekë për projekt, por mbulon vetëm 70% të kostove të lejuara.
Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up” është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në:
– Sektorët prodhues dhe të shërbimit;
– Sektorin e industrisë së lehtë;
– Sektorin e turizmit;
– Fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
– Procesin e agropërpunimit;
– Fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.
Fondi ofron subvencionim për shpenzime që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së shpenzimeve. Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë shpenzimet, por vetëm një pjesë të tyre dhe pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast ndërrmarrja shqiptare).
Për më shumë informacion shikoni linkun: http://aida.gov.al/fondi-ne-mbeshtetje-te-sipermarrjeve-te-reja-start-up/