Programi për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME) në Shqipëri
Ky është një Program i përbashkët i Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare, me synim përmirësimin e qasjes në financa të SME-ve shqiptare nëpërmjet një linjeje kredie të butë prej 36 milion Euro, fond garancie prej 5 milion Euro dhe asistencë teknike për SME-të. Faza e parë u implementua gjatë viteve 2008-2013, ndërsa faza e dytë po implementohet gjatë periudhës 2015-2020.
Nga ky program përfitojnë të gjitha subjektet, persona fizikë ose juridikë, të cilët zotërojnë ose përfaqësojnë ndërmarrje mikro, të vogla ose të mesme dhe që aktualisht ushtrojnë një aktivitet sipërmarrjeje ose që dëshirojnë të fillojnë një aktivitet (start-up) në Shqipëri, që i përkasin sektorëve të ndryshëm si bujqësia, agroindustria, peshkimi dhe akuakultura, industria prodhuese e përpunuese, teknologjia e komunikimit dhe informacionit, prodhimi natyror i energjisë, transporti, turizmi dhe shërbimet. Kanë prioritet projekte të krijuara rishtas nga emigrantë shqiptarë me banim në Itali.
Kriteret e pranueshmërisë:
- Shoqëria është e regjistruar në Shqipëri;
- Jo më pak se 51% e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga shtetas shqiptar;
- Qarkullimi vjetor jo më i lartë se 10 milion Euro;
- Numri i punonjësve jo më i lartë se 250.
Kriteret e kredisë për SME-të: Vlera për projekt: nga 50,000 Euro deri në 500,000 Euro; Qëllimi i Kredisë: • Jo më pak se 70% e kredisë do të përdoret për blerjen e makinerive, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, licencave industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë italiane; • Jo më shumë se 10% e kredisë mund të përdoret për blerjen e lëndës së parë, që lidhet me investimin kryesor; • Jo më shumë se 30% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.
Kriteret e kredisë për “projektet e vogla”: Vlera për projekt: nga 15,000 Euro deri në 50,000 Euro. Grupi i Synuar: Ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme të krijuara rishtas (Start-up) ose ekzistuese. Qëllimi i Kredisë: • Jo më pak se 40% e kredisë mund të përdoret për blerjen e makinerive, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, licencave industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë italiane; • Jo më shumë se 60% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.
Kriteret e kredisë:
- Norma maksimale e interesit që aplikohet: Deri ne 3% në Euro dhe deri në 4% në Lek;
- Periudha e shlyerjes së kredisë nga 3 - 8 vjet;
- Periudha “Grace” (ku paguhet vetëm interesi), nga 1 deri në 2 vjet.
Fondi Shqiptar i Garancisë për SME-të: prej 5 milion Euro është një instrument financiar, që në praktikë, zëvendëson garancitë që zakonisht kërkohen për të marrë kredi nga bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, duke ulur rrezikun në shumën e garantuar. Me këtë garanci kredie SME-të kanë mundësi të marrin kredi më të lira se ato të tregut pa garanci shtesë, për pjesën e garantuar nga Fondi. Fondi Shqiptar i Garancisë mund të përdoret vetëm për garantimin e kredive që financohen, në kuadër të Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri, nëpërmjet bankave apo institucioneve financiare jo bankë, partnere të programit duke iu mbuluar deri në 50% të riskut potencial në shlyerjen në afat të kredisë për projektet standard dhe deri në 60% për projektet prioritare të SME-ve.
Për më shumë informacion: https://www.prodaps.al/