Materjale

Programi IPARD

Programi IPARD, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural ka filluar implementimin në Shqipëri që në vitin 2012 si “IPARD like” dhe më pas ka filluar e po zbatohet programi IPARD II (2014-2020), me një fond prej 94 milionë Euro nga të cilat 75% kontribut i BE-së dhe 25% kontribut i buxhetit të shtetit. 

IPARD i siguron vendeve kandidate të BE-së, asistencë për implementimin e programeve shumëvjeçare duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së. 

Fondet IPARD II manaxhohen nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Autoriteti Manaxhues pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) në kuadër të Programit IPARD II, dhe kanë si qëllim mbështetjen e investimeve për rritjen e konkurrueshmërisë së agrobiznesit dhe përafrimit gradual me standardet e BE-së.

Programi synon të mbështesë fermerët, shoqëritë e bashkimit bujqësor, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizikë, juridikë, mikro-sipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jo bujqësore që kryejnë investime në sektorin bujqësisë.

Investimet përfshijnë prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, mishit, fruta perimeve, vreshtave, investime mund të kryhen në akuakulturë, si dhe në lidhje me shërbimet për popullsinë e zonave rurale, turizmin natyror, si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Thirrja e parë përkon me periudhën 30 nëntor 2018 deri në 30 janar 2019 dhe janë kontraktuar 119 investime në bujqësi dhe zhvillim rural për një vlerë granti prej 22 milionë Euro dhe total investimesh 39 milionë Euro. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve janë akoma në fazë zbatimi.

thirrjen e dytë për aplikime e cila ishte e hapur gjatë periudhës 30 tetor 2019 – 15 janar 2020 u dorëzuan mbi 370 aplikime të reja, duke shënuar një rritje me rreth 20% krahasuar më thirrjen e parë. Fondi në dispozicion është 58 milion EURO. Fondi Grant mbështet 50-70% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Parashikohet thirrja e tretë brenda vitit 2020.

Programi IPARD ka qenë transformues për sektorin e bujqësisë në shumë vende të rajonit të Ballkanit.

Për më shumë informacion: www.azhbr.gov.alwww.ipard.gov.al; www.bujqesia.gov.al