Materjale

Ecuria e sipërmarrjes femërore në Shqipëri

SME-të janë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri si dhe i krijimit të vendeve të punës. Përfshirja e grave në biznes është një potencial i cili duhet të shfrytëzohet për rritjen më tej të ekonomisë së vendit ashtu si edhe vetë-punësimin dhe fuqizimin ekonomik të grave. Gratë sipërmarrëse në Shqipëri përballen me shumë sfida; jo vetëm ato me të cilët përballen sipërmarrësit meshkuj, por edhe faktorë të tillë si paragjykimet sociale dhe mentaliteti, veçanërisht në zonat rurale.

Sipas INSTAT 2019, gratë menaxhojnë / zotërojnë 25,7 % të bizneseve aktive gjithsej të vitit 2018, krahasuar me 29,7 % gjatë vitit 2017. Qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të bizneseve të drejtuara nga gratë, me 41,4 %. Bizneset e drejtuara nga gratë janë kryesisht biznese me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2 % të numrit të përgjithshëm të bizneseve të drejtuara nga gratë. Megjithatë, gratë drejtojnë 19,6 % të bizneseve me 50 e më shumë të punësuar. 84% e tyre menaxhojnë aktivitete shërbime dhe shumica në tregti dhe 86.7% e bizneseve kanë formën ligjore si person fizik.

Ecuria e numrit të bizneseve të drejtuara nga gratë në vite tregon se kemi një rritje të pjesëmarrjes së tyre në biznes nga viti 2005 deri në vitin 2015 ku ka arritur kulmin me 31,3% dhe më pas kemi një reduktim të ndjeshëm nga viti në vit deri në 25,7% në vitin 2018. Kjo vlerë është 3 pikë përqindje më e ulët se ajo e vitit 2013 (27.8%). Gjithashtu edhe numri i grave sipërmarrëse është reduktuar nga 47,706 në vitin 2015 në 41,825 në vitin 2018, pra me rreth 12,3%. 

Sipas qarqeve rënia më e madhe e pjesëmarrjes së grave në biznes vihet re në qarkun e Beratit nga rreth 28% në 2013 në 18% në 2018, më pas vjen Fieri nga rreth 27% në 2013 në 19% në 2018, dhe Korça nga 26% në 2013 në 18% 2018.

Nga viti 2015 ka filluar regjistrimi i fermereve me NIPT dhe përfshirja e tyre në Regjistrin e biznesit të INSTAT, në grupin e bizneseve me 1-4 të punësuar. Numri i grave fermere të regjistruara në vitn 2018 rezulton se përbën 10% të të gjithë fermerëve të regjistruar me një ulje me 3,7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017, por me një rritje prej 2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2015. 

Vetëm disa skema kombëtare për ndarjen e kostove kanë vepruar për mbështetjen e grave sipërmarrëse të cilat e kanë zanafillën që nga vitet 2007-2008, por vlera e tyre është e vogël dhe nuk plotëson nevojat e sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë, sidomos start-up-eve.